Secondary Adv

Programi, Rishikohet formula për buxhetin e pushtetin vendor dhe ndarje e re territoriale

Brenda këtij mandati, synimi i qeverisë është për të pasur një ndarje të re territoriale, me më pak bashki.

Objektivin për këtë ndarje të re, Kryeministri Edi Rama e ka shpalosur edhe në programin qeverisës.

 

“Reforma e re administrative territoriale 2.0 dhe përshtatja e saj me standardet e BE-së deri në vitin 2027. Forcojmë kapacitetet sipërmarrëse të bashkive përmes një ligji të ri për shoqëritë vendore dhe qeverisjen e ndërmarrjeve publike lokale”, thuhet në programin e qeverisë.

 

Prej vitit 2015 qeveria ka ndarjen territoriale me vetëm 61 bashki dhe 12 qarqe, nga 373 njësi të qeverisjes vendore që ishte përpara. Po ashtu do të rishikohet edhe formula e ndarjes së buxhetit për pushtetin vendor.

 

“Fuqizojmë financiarisht dhe nxisim performancën e bashkive duke rishikuar formulën e transfertës së pakushtëzuar dhe prezantimin e grantit të performancës”, parashikon qeveria.

 

Aktualisht fondet që shkojnë për bashkitë si transfertë e pakushtëzuar bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të nxënësve dhe rregullohen më tej duke ndjekur një ekuacion financiar bazuar në kapacitetin fiskal të bashkisë për të rritur të ardhurat.

 

Por transfertat bazohen edhe mbi funksionet e bashkisë për arsimin, vaditjen, administrimin pyjor, mbrojtjen nga zjarri apo rrugët rurale.

 

Transferta që 61 bashkitë marrin nga buxheti i shtetit për këtë vit është 43.1 miliardë lekë nga 36.5 miliardë lekë që janë të planifikuara vjet. Janë 200 milionë lekë (2 milionë euro) që do të shpërndahen për bashkitë, përmes një udhëzimi që do të miratohet nga Ministria e Financave dhe Ministri për Pushtetin Vendor në bazë të performancës së tyre.

 

Qeveria zotohet që brenda mandatit ta rishikojë këtë formulë, teksa paralajmëron për shtim të disa kompetencave bashkive.

 

“I japim më shumë fuqi bashkive duke zgjeruar decentralizimin në fusha si arsimi, shëndeti dhe shërbimi këshillimor bujqësor. Nxisim bashkitë të kthehen në agjentë të zhvillimit ekonomik duke hartuar plane lokale të zhvillimit ekonomik vendor me përfshirjen e universiteteve dhe qendrave kërkimore”, vijon më tej programi.

 

Në program po ashtu është parashikuar që të ngrihet edhe Akademia e Pushtetit Vendor si një qendër trajnimi dhe zhvillimi për mbi 4 mijë punonjës vendorë. /Shqiptarja


Më të lexuarat